Tahiri: AAK-ja dha shembullin e tolerancës e bashkëpunimit politik
Shefi i Grupit Parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, nëpërmjët një statusi në Facebook ka uruar përvjetorin e 21 të themelimit të AAK-së.
Besnik Tahiri tha se themeli i shumë proceseve dhe zhvillimeve politike u themelua para 21 vjetësh dhe AAK dha shembullin e tolerancës e bashkëpunimit politik.
Ai theksoi se në vitin 2000 kur të tjerët po i fryenin ndarjeve, përplasjeve e polarizmave politike, Gjenerali Haradinaj themeloi AAK-në dhe se me themelimin e partisë vendosi urat e shumë proceseve dhe zhvillimeve politike që do vinin pas.
“21 vjet, drejt n’shërbim të vendit! Para 21 viteve u vendos themeli i shumë proceseve dhe zhvillimeve politike, për 21 vite me radhë dhamë shembullin e tolerancës dhe bashkëpunimit politik Sot, 21 vjet më parë u themelua Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Para 21 vitesh, Gjenerali themeloi AAK-në, vendosi themelin dhe urat për shumë proceseve dhe zhvillimeve politike, që do të pasonin.
Në vitin 2000, ishte koha kur të tjerët po i fryenin ndarjeve, përplasjeve e polarizimeve politike, në ‘theqafje’ deri në pambarim. Në atë kohë, Gjenerali Haradinaj themeloi Aleancën, me vizoninin e qendrushmërisë politike, bashkimit, tolerancës, dhe mbi të gjitha, shtetformimit. Edhe kësaj radhe, Haradinaj, vendosi kauzen mbi inatet dhe ideologjitë.
Në fillet e saj, në konsolidim e sipër, Aleanca nuk kishte pasur kohën të investonte, për të fituar garën politike. AAK pranoi verdiktin e sovranit, kryetarët e saj të komunave, deri atëherë të emëruar, në mënyrën më ceremoniale dorëzuan detyrën, me kulturë e respekt. Kjo ndodhi edhe në Deçan. AAK dha shembullin e tolerancës dhe bashkëpunimit politik, deri atëherë jo fort në trend. Në vitin 2001, pas një bllokade të gjatë të themelimit të institucioneve, ishte vetë Ramush Haradinaj, ai që ofroi fuqinë politike të AAK-së, për të themeluar qeverinë e parë, pa asnjë kushtëzim”.
Tahiri me rastin e përvjetorit të themelimit të partisë të së cilës ai i takon renditi me radhë arritjet, sfidat e vështirësitë që AAK kaloi ndër vite.
“Anëtarë të AAK-së, shumë prej jush jeni në mendime se çfarë kursi e drejtimi kemi mbajt, lexoni më lartë e shihni që për 21 vjet drejt kemi qëndruar”, shkruan Tahiri.