Tahiri: AAK-ja e sheh me shqetësim të madh qasjen injoruese të BE-së ndaj Kosovës
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka folur për mosliberalizimin e vizave.
Ai ka thënë se në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, për Kosovën ndodhi ajo e zakonshmja – thirrja për dialog.
“AAK-ja e sheh me shqetësim të madh qasjen injoruese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe trajtimin joserioz të kërkesës sonë të drejtë për lëvizje të lirë dhe liberalizim të vizave. Ajo që dimë është se kushtet e parapara nga Komisioni Evropian janë përmbushur tani e shumë vite më parë, ka pasur një votim pro të liberalizimit të vizave në Parlamentin Evropian, sikurse që ka pasur një pozicion të qartë të Komisionit karshi kësaj teme”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se si grup parlamentar, si subjekt politik kanë dy pyetje për anëtarët e BE-së. “A është kjo një politikë sanksionuese që po i bëhet Kosovës? Apo Kosova realisht është peng i politikës së brendshme të anëtarëve të Unionit Evropian?”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka theksuar se në anën tjetër, shohin një mosreagim të Qeverisë së Kosovës karshi kësaj teme.
“Pra, mungesa e kundërshtimit, e argumenteve, e qasjes së Qeverisë së Kosovës në raport me injorimin që i behët liberalizimit të vizave, është e habitshme. Për sa ishin në opozitë, gjithmonë kritikonin, sulmonin në raport me këtë temë, ndërsa tani që janë në Qeveri, nuk pati asnjë reagim. Në anën tjetër, shihet që lobimi rus përmes Beogradit zyrtar po ka ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e Unionit Evropian. Dhe, në këtë temë, si grup parlamentar do të iniciojmë një debat parlamentar, një rezolutë me mbështetje të të gjitha partive parlamentare, në mënyrë që të adresojmë këtë çështje në nivelin më të lartë, pra nga Parlamenti i Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se kurrë nuk duhet harruar që Kosova dhe qytetarët e saj, jo vetëm gjeografikisht që janë pjesë e Evropës, mirëpo edhe në procesin e reformave që kanë ndodhur tash e 20 vite, synimi i tyre është integrimi, reformimi i plotë dhe bashkimi i Kosovës në vendin ku na takon.
“Lufta në Ukrainë e ka treguar fytyrën e vërtetë secilit vend në BE. Si është e mundur që si Qeveri, Kuvend, si Kosovë t’i marrim të gjitha masat në mbështetje të pozicionit të BE-së në raport me luftën në Ukrainë, të vendosim sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, të pengojmë të gjitha investimet e dyshimta lindjes, të Rusisë dhe Kinës në Kosovë, ndërsa vetëm për Kosovën të mos ketë një vendim të drejtë për liberalizim të vizave. Është e pa kuptueshme që qytetarët e vendit të vetëm në Evropë të mos lëvizin lirshëm. Në Kosovë e kemi për vizitë edhe emisarin për dialog z. Lajçak. Çka do t’u thotë ai zyrtarëve të Qeverisë, partive parlamentare në raport me këtë temë, nuk mjafton vetëm të ndihet keq se s’po ndodhë liberalizimi, por duhet të veprohet në këtë temë”.
“Kuvendi i Kosovës përmes iniciativës së AAK-së, duhet të miratojë një rezolutë të qartë për pozicionimin tonë drejt integrimit evropian, njëkohësisht për shtruarjen e disa çështjeve të cilat janë me interes të dihen nga anëtarët e Parlamentit Evropian. Është e padrejtë që ne të privohemi, tash e sa vite, vetëm pse disa shtete nuk donë mbështetje. Pra, ne jemi peng i politikës së brendshme dhe jo peng i mos përmbushjes së kushteve për liberalizim të vizave”, ka thënë Tahiri.