Tahiri: Administrata publike duhet kthyer në promotor të reformave në proceset integruese
Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka marrë pjesë në ceremoninë e grupit të gjashtë dhe shtatë 2017/2018 – Programi i Lidershipit Transformues (PPDL), i ofruar nga Universiteti Amerikan në Kosovë (RIT Kosova/TDI-AUK) për shërbyesit publik.
Në prezencën e drejtuesve të këtij institucioni, donatorëve nga USAID dhe zyrtarëve nga niveli qendror dhe lokal, Tahiri i ka uruar të certifikuarit nga ky program.
Ai ka theksuar se programet sikur PPDL, janë komplementare me procesin e reformave që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në fushën administratës publike.
“Si i tillë procesi përtej rregullativës ligjore, kërkon hapa në ngritjen e kapaciteteve të shërbyesve publik dhe përmirësimin e shërbimeve. Një vlerësim i nevojave për kapacitetet shtesë të shërbyesve publik, duhet ndjekur me kurrikula dhe programe specifike që rrisin shkathtësitë dhe përmirësojnë proceset. Ndërkaq, ofrimi i shërbimeve të integruara nëpërmjet digjitalizimit dhe e-qeverisjes janë hapat përpara”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se përtej kësaj, zbatimi efikas i legjislacionit dhe planifikimi strategjik janë elemente kyçe për zhvillim të qëndrueshëm.
“Administrata publike, duhet kthyer në gjenerator të zhvillimit dhe promotor të reformave në proceset integruese. Pa një administratë efikase dhe funksionale, rrugëtimi drejt përmbushjes së standardeve është i pamundur. E këtu, këtu kërkohet edhe një qasje e re, një lidership transformues që ofron mbështetje dhe vizon për administratën”, ka deklaruar Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.