Tahiri akuza qeverisë: Çmimet e artikujve ushqimorë kanë shkuar në qiell, pagat kanë mbetur të njëjta
Shefi i Grup Parlamentar, Besnik Tahiri, ka thënë të hënën se kjo qeveri ka hyrë në vitin e katërt dhe ende është duke vajtuar dhe nuk jep përgjigje për asnjë temë që rregullon jetën.
Ai ka thënë se Kosova është duke u zbrazur. “Të rinjtë dhe të rejat janë duke kërkuar mundësi për të marrë një vizë pune për të lëshuar Kosovën. Çmimet e artikujve ushqimorë kanë shkuar në qiell, përderisa pagat kanë mbetur të njëjta. Nuk ka rritje të pagës as në sektorin publik e as të pagës minimale, si të rrinë të rinjtë dhe të rejat në Kosovë. Ende flasin për marrëveshjet ndërkombëtare, ende flasin në të majtë për BE-në e në të djathtë për ShBA-në, por problemi nacional në Kosovë është mbijetesa – të lidhet muaji me muaj. Këtë problem, Qeveria është duke u munduar ta largojë prej agjendës duke u marrë me tema që janë pranuar”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ai ka parashtruar pyetje për qeverinë Kurti.
“Sot, pyetjet shtrohen për dialogun, për Asociacionin, kur gjërat po dihen. A është kjo qeveri dhe ky kryeministër që e kanë pranuar marrëveshjen e Brukselit? A është kjo qeveri që e ka pranuar planin e veprimit në Ohër? A është kjo qeveri, që së bashku me zëvendëskryeministrin e kanë pranuar edhe një marrëveshje tjetër në Bratislavë? A është kjo qeveri dhe ky kryeministër që po thonë ‘nesër e nënshkruajmë Asociacionin dhe marrëveshjet ndërkombëtare?’ Problem nuk është Asociacioni, sepse ai është pranuar, problem është jetesa në Kosovë. Po merremi me tema që nuk janë duke i dhënë kuptim jetës”, ka theksuar Tahiri.
Ai ka thënë se çështja e dinarit e ka zhvendosur debatin dhe kritikën ndaj Serbisë për sulmin e 24 shtatorit.
“Një temë e cila është brendshme dhe që ishte rregulluar me një rregullore të BQK-së, na është bërë temë ndërkombëtare që flitet në Këshill të Sigurimit. Nuk flet askush për sponsorizimin, organizimin e sulmit në Banjskë me 24 shtator nga Qeveria e Serbisë”, ka thënë Tahiri.
Duke folur për zgjedhjet parlamentare, Tahiri ka thënë se në qoftë se nuk mbahen zgjedhjet këtë vit, atëherë sipas tij, mesi i gushtit është koha kur mund të shpallet data e zgjedhjeve.
“Pra, janë gjashtë muaj para zgjedhjeve, që nënkupton se zgjedhje kemi ose në janar ose 16 shkurti është dita e fundit, e që Kurti ka dëshirë t’i bie sërish 14 shkurti. Qytetarët duhet të din se në zgjedhje të jashtëzakonshme shkojmë përmes dorëheqjes. Pyetja ime është se a jep Kurti dorëheqje duke i lënë xhipat e zi e gjithë këto privilegje? Nuk jep dorëheqje, sepse i bie të dorëzohet”, është shprehur ai.
Tahiri ka thënë se mënyrë e dytë për të shkuar në zgjedhje është mocioni i mosbesimit i AAK-së, të cilin nuk e nënshkruan opozita, për t’u votuar me 61 vota.
“Mënyra e tretë për të shkuar në zgjedhje është shpërbërja e parlamentit me dy të tretat e deputetëve. Kurti nuk do të japë dorëheqje sepse është tradhti ndaj 50 përqindëshit, por po kërkon nga deputetët që vetë të shkëpusin mandatin”, ka deklaruar Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së ka folur edhe për zgjedhjet në veri.
“AAK-ja ka qenë subjekti i vetëm në Kuvend që i ka thënë Kurtit të mos hyjë në ato zgjedhje, për shkak se do të ketë zgjedhje pa pjesëmarrje të qytetarëve serbë, dhe do të na krijohet një problem ku do të dalim keq si Kosovë. Megjithatë, këtu bashkëfajtor në këtë temë është edhe bashkësia ndërkombëtare të cilët i kërkonin legalitet por ia kontestonin legjitimitetin. Ndërkaq, peticioni ka krijuar një precedan të keq për komunat tjera të Kosovës”, ka thënë Tahiri.