Tahiri akuzon Vuçiqin për të pagjeturit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është treguar indiferentë për ofrimin e informatave për të pagjeturit.
“Megjithatë, kjo indiferencë për asnjë moment nuk do të na ndalojë që të bëhemi edhe më këmbëngulës dhe të pakompromis në zgjidhjen e kësaj çështje”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Tahirit:
Republika e Kosovës ka hyrë në dekadën e dytë me vizion dhe shpresa të reja, por assesi duke harruar çështjet që kemi trashëguar dhe për të cilat, duhet të përpiqemi më shumë se kurrë.
Ndriçimi i fatit të personave të zhdukur, si një prej çështjeve më të ndjeshme që fatkeqësisht mban peng edhe sot e kësaj dite shumë familje kosovare, është preokupim i vazhdueshëm i imi si ministër i Drejtësisë.
Kam diskutuar me Kryetarin e Komisionit për Persona të Zhdukur, z. Prenk Gjetaj dhe Kryetarin e Shoqatës “Zëri i Prindërve” z. Bajram Qerkini, për obligimet tona institucionale dhe hapat që duhet ndërmarrë më tutje që kjo temë të marrë një epilog, sa më parë që është e mundur. Përkushtimi dhe mbështetja ime për të adresuar preokupimet e familjeve të personave të zhdukur, nuk do rresht për asnjë moment.
Tashmë është e qartë se adresa e vërtetë e këtij problemi, është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili është duke treguar indiferencë dhe mos gatishmëri për të nxitur organet serbe që të bashkëpunojnë me institucionet tona, për të ofruar informata dhe dëshmi mbi fatin e të zhdukurve.
Megjithatë, kjo indiferencë për asnjë moment nuk do të na ndalojë që të bëhemi edhe më këmbëngulës dhe të pa kompromis në zgjidhjen e kësaj çështje.
Në ditët në vijim, do të angazhohemi së bashku me të gjitha institucionet dhe shoqatat e familjarëve për të zgjeruar agjendën e përpjekjeve institucionale, deri sa të marrin përgjigje edhe 1652 rastet e evidentuara, në mesin e të cilave, 130 fëmijë, për të cilët duhet të ketë një adresë.