
Tahiri: Ata që minojnë integritetin e institucioneve, nuk do të mbesin pa u ndëshkuar
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, me të cilët ka biseduar për situatën e fundit në fushën e rendit dhe ligjit si dhe për rastin e abuzimit seksual ndaj të miturës nga Komuna e Drenasit, si një rast që cenon të drejtat themelore të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.
Krerët e institucioneve të rendit dhe ligjit vlerësuan rastin si një rast jashtëzakonisht i rëndë që shpërfaq nevojën e rritjes së llogaridhënies së institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
Gjatë takimit po ashtu është kërkuar që përgjigja ndaj kryerësve të këtij krimi të jetë e menjëhershme dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Me këtë rast, ministri Tahiri ka vlerësuar se “ata që abuzojnë me pushtetin institucional, duke shkelur autorizimet që u janë besuar, nuk do të mbesin pa u ndëshkuar”.
Të pranishmit kanë ritheksuar përkushtimin për të vazhduar fuqizimin e sektorit të sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke dhënë mesazh të qartë për të gjithë ata që nga jashtë apo brenda përpiqen të minojnë integritetin e institucioneve, ndaj të cilave qytetarët kanë dhe duhet të kenë besim të plotë.
Në takim po ashtu është ngritur si shqetësim edhe numri i madh i rasteve të grabitjeve të armatosura, dhe është kërkuar plan konkret nga Policia e Kosovës për të parandaluar në të ardhmen rrezikimin e sigurisë së qytetarëve nga rastet e tilla.
Shteti i së drejtës e barazia përpara ligjit janë dhe duhet të jenë parime që udhëheqin punën e institucioneve të sigurisë dhe sundimit të ligjit, andaj të pranishmit janë pajtuar të punojnë në avancimin dhe forcimin e sundimit të ligjit, në konsolidimin e mëtejmë të institucioneve gjyqësore të pavarura dhe efikase, si dhe në luftimin e dukurive negative, si kushte themelore për rritjen e integritetit të punës së institucioneve shtetërore dhe rritjes së besimit të qytetarëve në këto institucione.