Tahiri: Baca Xhemshit do të mbetet përherë sinonim i vullnetit të pathyeshëm
Në Teatrin Kombëtar në Prishtinës sot është mbajtur mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së atdhetarit dhe intelektualit, Xhemshit Duriqi.
Në emër të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur Besnik Tahiri, i cili ka përcjell ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të mikut, kolegut, intelektualit dhe atdhedashësit Xhemshit Duriqi.
“Duke, ndjerë thellë dhimbjen për humbjen e një intelektuali, patrioti dhe personaliteti të guximshëm, më lejoni të shpreh kujtimin dhe respektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timin personal për veprën e Bacës Xhemshit. Baca Xhemshit, ishte zgjatim i babë Abdylit, një atdhetari Llapjan që ra me pushkë në dorë në mbrojtje të atdheut, dhe familjes se nderuar Duriqi nga Obrança e Podujevës që dha kontribut kombëtar për liri ndër breza. Baca Xhemshit, ishte dhe do mbetet përherë sinonim i vullnetit të pathyeshëm, i njeriut të urtë, i intelektualit të guximshëm dhe simbol i dashurisë për njerëzit dhe atdheun”, ka thënë Tahiri, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj.
Ai ka theksuar se jeta dhe vepra e Xhemshit Duriqi, janë pikëpjekje e kontributit të brezave për liri e pavarësi.
“Baca Xhemshit, dhe brezi që ai i takon vendosen themelet e shtetit dhe dijes, dhe përkundër rrethanave jo të lehta ditën dhe guxuan të ndërtojnë vizion kombëtar në institucione që përfaqësuan shqiptarët. Dhe po në ato themele, me punë e përkushtim arritën të japin shembull për brezat se sa të rëndësishme janë institucionet dhe shtetësia. Baca Xhemshit, jo vetëm se la gjurmë në kontributin institucional, por me dinjitet dhe dije përfaqësoi Kosovën në atë periudhë në institucionet dhe mekanizmat më të lartë ndërkombëtar për fushën e kontrollit dhe menaxhimit financiar duke qenë anëtar i bordit të INTOSAIT në OKB”, ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se baca Xhemshit, ishte vazhdimësia e përpjekjeve si komb duke kontribuar pa reshtur me dijen dhe përvojën në ndërtimin e institucioneve dhe vetë shtetësisë.
“Duke mos ndalur kontributin për të nderuar e respektuar vlerat e lirisë, pavarësisë dhe miqtë që rrugëtuam përkrah në këto përpjekje. Baca Xhemshit, ishte udhërrëfyes dhe i pa shembull në mbështetjen e brezit të ri. Në hapat e parë politik, pata fatin të merrja këshillat e urta nga mendja e ndritur e tij. Bacën Xhemshit, do ta kujtoj përherë për pasionin në kontribut ndaj vendit. Në fjalë, Baca Xhemshit kishte urtësinë, në këshillë përvojën, në kontribut çiltërsinë dhe në mendje atdhedashurinë. U nda nga ne, duke lënë gjurmë të pashlyeshme të kontributit për vendin dhe dashurinë për njerëzit. I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e Bacës Xhemshit”, ka thënë Besnik Tahiri.
/Epoka e re/