Tahiri: Bahtiri dhe Kurti duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është pjellë e fantazisë diktatoriale
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka komentuar një deklaratë të kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, lidhur me zgjedhjet e reja ku ka theksuar se në vend mund të ketë vëllavrasje.
Tahiri ka thënë se Agim Bahtiri dhe Albin Kurti duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është pjellë e fantazisë diktatoriale e fashiste.
“Të bësh ftesë për luftë civile e vëllavrasëse për shkak të pushtetit, në një popull, vuajtjet e të cilit i ka markuar e s’do t’i shlyejë kurrë historia e njerëzimit për shkak të lirisë, është turpi më i madh që mund t’ia atribuojë vetës një person që ndanë bashkë me ne hapësirën e quajtur Kosovë. Sot një profiter politik e analfabet funksional si Agim Bahtiri, merr guximin të flasë për vëlla vrasje për shkak të karriges së pushtetit. Ky iluzionist që ka deficite ndaj detyrës atëherë kur duhej e kërkohej, sot na fton të bëjmë një rrugë të ngjashme, veçse tash jo më ndaj armikut, por ndaj njëri-tjetrit”.
“Agim Bahtiri dhe Albin Kurti duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është pjellë e fantazisë diktatoriale e fashiste të kujtdo që i teket, por është atdheu ynë për të cilin dhamë më të shtrenjtën që kishim, dhe të cilën e kemi obligim deri në frymën e fundit, ta ruajmë për të sotshmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe pa asnjë dyshim, do ta ruajmë. Turp e përtej turpit”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.