Tahiri-Beqa: Kosova tërë kohës po ankohet për ta prolonguar situatën e Asociacionit
Analistja politike Arta Tahiri-Beqa vlerëson se edhe nëse draft-statuti i Asociacionit i publikuar në media është i vërtetë, nuk do të thotë që Kosova duhet ta pranojë patjetër.
Tahiri-Beqa thotë se Kosova po “ankohet” gjatë tërë kohës për ta zgjatur sa më shumë situatën e Asociacionit.
“Koha po e dëshmon që përpos një status quo, fatkeqësisht nuk ka asnjë lëvizje pozitive sa i përket qasjes së Kosovës, mbi të gjitha në atë që thashë, antitrupat që mund të na ndihmojnë ta luftojnë këtë gjendje, që është Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova gjatë gjithë kohës është duke u ankuar me nënshkrime ose gjëra të tilla të paarsyeshme, për të prolonguar sa më shumë situatën e Asociacionit të Komunave. Nuk do të doja të mirresha me këtë pjesë se a është i vërtetë ai draft status që është publikuar nga disa media, po sikur të jetë i vërtetë, nuk do të thotë që duhet patjetër Kosova ta pranojë, sepse ne e dimë se është jashtëzakonisht i dëmshëm, krijon një autonomi brenda Kosovës”, deklaroi ajo në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.
Sipas saj, çështja e Asociacionit nuk është problemi më madhor në dialogun Kosovë – Serbi.