Tahiri: Çdo dështim i Kurtit sot është dështim i Kosovës nesër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka raportuar sot në Kuvend në lidhje me marrëveshjen Kosovë-Serbi, për të cilën të dyja vendet arritën pajtim më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Partitë e opozitës PDK-ja dhe LDK-ja e kanë kritikuar Kurtin për arritjen e kësaj marrëveshje, duke akuzuar për zbrapsje nga qëndrimet e tij, sidomos sa i përket Asociacionit.
Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se me marrëveshjen e Ohrit dialogu dhe diskutimi me Bashkimin Evropian do të vazhdojë me vite.
“Për ne kjo duhet të përdoret si mundësi e forcimit të shtetit të Kosovës, por është edhe një potencial për gabime dhe lëshime”, tha Besnik Tahiri, i cili sugjeroi që në komitetin që monitoron zbatimin e marrëveshjeve të përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Është e rëndësishme që kryeministri mos ta humb cakun, si një mundësi që mos t’i ikë as një detaj dhe të marrë kujdesin e veçantë për arritjen e njohjes reciproke. E dimë që në këtë marrëveshje nuk ka njohje reciproke”.
“Çdo dështim i Albin Kurtit sot, është dështim i Kosovës nesër”, ka thënë Tahiri.