Tahiri: Çështja e asociacionit nuk duhet të diskutohet fare, Kushtetuesja ka vendosur
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se pas shumë insistimeve të opozitës është vendosur nga Kryesia e Kuvendit që kryeministri Albin Kurti të raportojë para deputetëve për procesin e dialogut me Serbinë.
Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të diskutohet në dialogun me Serbinë.
“Çështja e Asociacionit nuk duhet trajtuar fare. Mendoj se këtë çështje e ka adresuar Gjykata Kushtetuese. Andaj ai vendim i obligon të gjithë që ta respektojnë dhe kryeministri nuk duhet të pranojë që kjo të hedhet në diskutim, dhe shpresoj që ka guxim që të adresojë një çështje të tillë”, ka thënë Tahiri.
I pyetur se cili do jetë qëndrimi i PDK-së në seancën e së premtes, Tahiri ka thënë se Kurti është i papërgatitur për procesin e dialogut, i cili pritet të nis në këtë muaj.
“Duke parë rrëshqitjen e kryeministrit Kurti ky debat do jetë i rëndësishëm, por po shohim një pa përgatitje tepër të madhe”, është shprehur Tahiri.