Tahiri: Deklarata e Kurtit pas ‘darkës së Brukselit’, skandaloze
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti pas “darkës së Brukselit” do të ishte më mirë të mos ishin dëgjuar fare.
Sipas tij, kryeministri Kurti nuk ka pasur guxim të thotë se adresa e krimeve është Serbia.
Këtë deklaratë Tahiri e bërë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës.
“Para dy ditësh kryeministri Kurti mori pjesë në darkën e Borrelit me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. E inkurajojmë kryeministrin të merr pjesë në të gjitha iniciativat rajonale që i sjellin të mira Kosovës. Në këto forume e darka, logjika thotë se duhet të flitet për situatën aktuale, pandemike dhe për sfidat konkrete që i ka Kosova dhe rajoni. Por meqë nuk publikohet ajo që flitet brenda, rëndësi ka ajo çfarë deklarohet jashtë”.
“Deklarimet e kryeministrit tonë pas darkës më mirë mos t’i kishim dëgjuar fare… Nga kjo deklaratë e kryeministrit në shoqërinë e Bërnabiqit doli diçka që shkon përtej imagjinatës. Një deklaratë skandaloze e Kurtit që fatkeqësisht i hedh pluhur të kaluarës së shtetit tonë. Botërisht është e ditur se kush është krimineli dhe kush është viktima në Ballkanin Perëndimor. Por, fatkeqësisht kryeministri ynë nuk pati guxim ta thotë se kjo adresë është Serbia”, ka thënë Tahiri.