Tahiri dhe Deliu: Raporti i BE-së për Kosovën dëshmoi paaftësinë e Qeverisë
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për medie të mbajtur sot, kanë folur për raportin e BE-së për Kosovën.
Tahiri dhe Deliu kanë thënë se ky raport dëshmon edhe një herë paaftësinë e kësaj qeverie për tu marrë me problemet reale të qytetarëve të Kosovës.
Sipas zyrtarëve të PDK-së, raporti ka evidentuar një numër të madh të problemeve me të cilat ballafaqohet vendi, me theks të veçantë dështimin e Qeverisë me shëndetësinë, lirinë e mediave dhe kritikat ndaj tyre, mungesën e vullnetit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe performancën e dobët legjislative.
“Kjo Qeveri nuk ka shënuar progres në fuqizimin e gjyqësorit. Kjo tregon për paaftësinë e tyre në fuqizimin e sundimit të ligjit. Ndërkaq, nënvizohet mungesa e vullnetit nga Qeveria për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Tahiri.
Më tej, ai ka thënë se është pikërisht kontributi i opozitës që ka bërë që raporti të jetë i kënaqshëm në disa fusha.
“Ne dallojmë shumë me mënyrën e të bërit opozitë me partinë në pushtet. Edhe si opozitë, kemi dhënë kontributin tonë në secilën mundësi për ti garantuar progres vendit. Prandaj, si Grup Parlamentar, ne i këmi dhënë mbështetje 30 marrëveshjeve ndërkombëtare, për dallim nga e kaluara e Vetëvendoses. Për më tepër, si opozitë ne i kemi dhënë mbështetje Qeverisë edhe për Vetingut – çka e evidenton raporti i progresit”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se edhe në reformën zgjedhore, çka raporti e vlerëson si progres, është angazhim i PDK-së që ti japin mbështetje këtij procesi.
Ndërkaq, deputetja Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se sfidat e raportit për vendin janë të mëdha dhe, të njëjtat, do ti trajtojnë edhe në Kuvendin e Kosovës përmes një seance që do ta thërrasin.
“Raporti vërteton se nuk ka asnjë reformë të rëndësishme në aspiratën e Kosovës për integrim. Raporti vë theks në veprimet në lidhje me sundimin e ligjit, në reformat në Administratë Publike, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e deri te veprimet e mangëta për të luftuar informalitetin e ekonomisë. Shqetësuese mbetet edhe gjuha linquese që është përdorur ndaj gazetarëve”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ndërkaq, sa i përket punës së Kuvendit, Tahiri ka thënë se raporti thekson se ka një mazhorancë stabile në kuptimin e numrave, por të dobët në menaxhimin e tyre.
Në fund, Tahiri ka komentuar edhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me raportin për vendin.
“Ajo ishte më shumë një konferencë për shtyp, ku Vetëvendosje mundohet ti jap mësim Bashkimit Evropian e kritika si ajo po e trajton Serbinë. Sesa që folën për raportin e progresit. Besoj që Bashkimi Evropian ka qenë i vëmendshëm për të marrë këshilla nga Vetëvendosje. Të arriturat që i përmendën ata, janë kryesisht legjislative të cilat shumicën i kemi mbështetë ne”, ka përfunduar Tahiri.