Tahiri: Dialogu ia ka zënë frymën Kosovës që 14 vjet, le të marrë fund
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për marrëveshjen në Bruksel.
Ai ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të marrë fund.
“Ky shënon një kapitull të rëndësishëm në njohjen e Kosovës. Vlerësoj që në rrethanat e sotme në menaxhimin që ka bërë dialogun kryeministrin Kurti, kjo është më e mira që mund të bëhej. Këto janë momente që duhet ta ndajnë mbështetjen ndaj individit dhe Kurtit, dhe qëndrimit ndaj shtetit, qëndrimin ndaj sakrificës të cilën populli i Kosovës e ka dhënë shumë”.
“Qëndrimi ynë nuk ka të bëj me mbështetjen e Albin Kurtit e as të qeverisë së tij, e as të kualitetit të qeverisë që bën. Rrethanat që është Kosova, kërkon qasje më të thellë dhe më të drejtë. Dialogu tash e 14 vjet ia ka zënë frymën Kosovës. Dialogu vit mas viti, rezolutat në këtë Kuvend në vitin 2012, votimi në 2013, marrëveshja e 2015, marrja e kohës së secilit kryeministër me dialog duhet të marrë fund, dhe ai epilog i ka të mirat e veta por i ka edhe sfidat e dobësitë e veta”.
“Interpretimi i dyfishtë realisht e ka pjesën më të rëndësishme pasi të nënshkruhet marrëveshja. Adresa jonë për mbrojtjen e Kosovës nga Asociacioni është ky vendim. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila e ka hapur rrugën për me ndalë, me dobësuar një synim që e ka shteti serb me formimin e këtij asociacioni. Duhet të thuhet sot këtu se qeveria të ketë kujdes në trajtimin e nenit 7, në trajtimin e nenit 10”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka kërkuar kujdes nga Kurti kur diskutohet për asociacionin.