Tahiri: Dialogu përfundon me njohje reciproke Kosovë-Serbi
Ish-ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se ende ka shumë punë deri në pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovës.
Megjithatë Tahiri ka thënë se përmes procesit të dialogut është arritur të ndryshohet situata në Kosovë, sidomos në pjesën veriore.
Sipas ish-kryenegociatores si rezultat i dialogut të Brukselit është arritur integrimi i pjesës veriore në sistemin shtetëror dhe kushtetues të Kosovës.
“Besoj në të ardhmen ky raport ndryshon, sidomos në fazën finale të dialogut të Brukselit ku pritet të finalizohet me njohjen reciproke mes dy shteteve. Paqen e kemi por deri te paqja e qëndrueshme kemi shumë punë. Deri te pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë kemi shumë punë”, ka deklaruar ajo.
Vazhdimi i dialogut mes Prishtinës e Beogradit pritet të vazhdojë në muajin qershor, megjithatë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht data e takimit mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq. (REL)