Tahiri: Do ta mbështesim sektorin e teknologjisë informative dhe inovacionit
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri vizitoi sot Innovation Centre Kosovo (ICK), me ç’rast tha se pati nderin që ta vizitonte këtë institucion të veçantë në Republikën e Kosovës, siç̧ është ICK, e cila udhëhiqet nga Uranik Begu.
“Është krenari dhe mburrje të shohim se si ka arritur ky institucion të etablohet në institucionet më të rëndësishme globale dhe që të merr çmime më të larta të inovacionit dhe teknologjisë në nivel bote. Nga vizita që i bëra, u mahnita me punën e tij dhe çmimin që e ka fituar Uraniku me ICK-në në Kolumbi. Megjithatë, ajo çka na bën shumë të kënaqur është se Uraniku me ICK-në, e ka vendosur Kosovën në 20 vendet më të rëndësishme për teknologjinë në kohë pandemie”, është shprehur zëvendëskryeministri Tahiri.
Më tej, zëvendëskryeministri Tahiri theksoi se meqenëse jemi në kohë pandemie, komunikimi online dhe inovacionet që lidhen me teknologjinë informative janë çelësi dhe imperativ i kohës dhe këtë nuk duhet ta trajtojmë më si luks, por është pjesë e jetës sonë të përditshme.
Andaj, siç u shpreh ai, kjo do të jetë pjesë e jetës sonë të vazhdueshme, aq sa kemi jetëgjatësi në punë, biznes, Qeveri, në menaxhim publik dhe në ofrimin e shërbimeve.
Duke përgëzuar për punën e bërë, zëvendëskryeministri Tahiri shprehu zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në mbështetje të sektorit të teknologjisë informative, në këtë rast ICK-së dhe në përgjithësi sektorit privat, për të kaluar sfidat me të cilat ballafaqohen bizneset.