Tahiri: ‘Drejtësia 2020’, mundësi për të kthyer besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në një takim të përbashkët ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, si dhe ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu.
Në takim, ministri Tahiri ka njoftuar ambasadorët për punën që është bërë në përmirësimin e legjislacionit, si dhe për reformat tjera të ndërmarra, Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe agjendën e përbashkët me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial “Drejtësia 2020”.
Ministri Tahiri ka deklaruar se kohët e vështira në funksionimin e sektorit të drejtësisë po tejkalohen, dhe se nuk duhet të humbet mundësia që gjyqësori në Kosovë të jetë i besueshëm për të gjithë qytetarët.
Nga ana e tyre, ambasadorët kanë dhënë mbështetjen e tyre për “Drejtësia 2020”, duke theksuar se kjo agjendë tregon përkushtimin e fuqishëm që kanë institucionet vendore, përtej obligimeve legjislative, për zgjidhjen e shumë problemeve me mirëbesim.
Gjatë takimit, ministri dhe ambasadorët biseduan edhe për organizimin e punëtorisë me karakter trajnues për agjencitë e zbatimit të ligjit dhe Policinë e Kosovë në luftën kundër korrupsionit që do të mbahet javën e ardhshme në Prishtinë.
/Epoka e re/