Tahiri: Duhet të jemi më të bashkuar, më të zhvilluar e më të përparuar
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se shekulli 21, padyshim është shekulli i shqiptarëve.
Ai ka thënë se Kosova, sot, është vend i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht dhe i pranuar ligjshmërish nga një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Pra, një ëndërr e madhe që u bë realitet falë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe angazhimit të gjeneratë pas gjenerate e shumë patriotëve të këtij vendi”, ka thënë Tahiri në fjalën e mbajtur në kuvendin e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Në momente, si kjo seancë e sodit, është me rëndësi të reflektojmë drejt. Përderisa, Shteti Shqiptar sot shënon 110-vjetorin e pavarësisë, Kosovës i ka mbetur edhe një copë rrugë për të bërë. Në këtë rrugë, që nuk është e lehtë sepse kemi një armik të vështirë, që ka pretendime ndaj vendit tonë, ne ende kemi nevojë për një mbështetje të fuqishme të këtij Kuvendi e kësaj Qeverie në të gjitha aspektet. Duke nisur nga aspirata jonë për të qenë vend anëtar në NATO, kandidatë për anëtarë në Bashkimin Evropian, anëtar në Këshillin e Evropës, që po na ndihmon shumë delegacioni i Shqipërisë. Mbi të gjithë me qenë si vëllai me vëllain në kohë të vështira”, ka thënë ai.
Tahiri ka shtuar se “Duhet të jemi më të bashkuar, më të mirë, më të zhvilluar, më të përparuar, por ta duam njëri-tjetrin më shumë! Këtë ua kemi borxh gjithë atyre që jetë kanë dhanë për Shqipëri, për Kosovë e shqiptari!”.