Tahiri: Duhet të ndërtohet momentum i ri për anëtarësimin e Kosovës në KiE
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) në sesionin veror.
Ai ka thënë se duhet të ndërtohet një momentum të ri për anëtarësim e Kosovës në KiE.
“Jemi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në sesionin veror, ku kemi takime me grupe politike dhe presidentin. Ajo që dua të them për qytetarët e Kosovës është se duhet të punojmë për ta ndërtuar një momentum të ri. Momentumin që e kemi pasur nuk e kemi më. Dhe, për ta rikthyer agjendën e integrimit dhe për të shtyrë përpara vendimin e Komitetit të Ministrave, duhet një angazhim shumë i madh. Një momentum i ri i cili do të mundësojë anëtarësimin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka shtuar se kushtëzimet duhet të trajtohen seriozisht nga Qeveria e Kosovës.
“Anëtarësimi duhet të ndodhë për shkak se raporti është decidiv që Kosova e meriton anëtarësimin. Ndërsa, sa i përket kushtëzimeve duhet të trajtohen seriozisht nga Qeveria e Kosovës dhe të ketë një veprim të përgjegjshëm në këtë aspekt. Një rrugë jo e lehtë është përpara dhe me plotë sfida, por jam optimist që anëtarësimi do të ndodhë”, është shprehur Tahiri.