
Tahiri: E pabesueshme se me çfarë guximi abuzohet me paranë publike nga ministrat e Kurtit
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka akuzuar qeverinë Kurti për abuzim me paranë publike.
Tahiri ka thënë se afera e ministrave Donika Gërvalla dhe Fikrim Damka shpërfaq paaftësinë e kësaj qeverie.
Në këtë kontekst, Tahiri ka theksuar se ministrat e qeverisë Kurti nuk është duke u shqetësuar fare për respektimin e ligjit.
“Kjo aferë, përveç që shpërfaqë paaftësinë institucionale të kësaj qeverie, shpërfaqë edhe vetëbesimin e verbër se këta ministra janë mbi ligjin dhe se paranë publike e konsiderojnë si mjet për të mbuluar deficitet e tyre të gjithanshme, pa ndjerë kurrfarë përgjegjësie për to, e për mënyrën se si shpenzohen ato. Keqpërdorimi dhe abuzimi i jashtëligjshëm i këtyre dy ministrave, ngjashëm si edhe afera të tjera korruptive që i kemi ngritur më parë e që po dalin në shesh për çdo ditë, tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie dhe papërgjegjësinë e saj karshi ligjit e qytetarëve”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Tahirit:
Është e pabesueshme se me çfarë guximi kanë filluar të abuzojnë me paranë publike ministrat e qeverisë Kurti, duke mos u tunduar të dinë për ligjin, lere më t’iu nënshtrohen ligjeve kur është fjala për shpërndarjen e parave të taksapaguesve të Kosovës.
Dy ministra protagonistë të një afere të tillë, ministrja Gërvalla-Schwarz dhe ministri Fikrim Damka, i keqpërdorën 1.1 milion euro, duke i ndarë këto para jashtëligjshëm ndaj një OJQ-je.
Kjo aferë, përveç që shpërfaqë paaftësinë institucionale të kësaj qeverie, shpërfaqë edhe vetëbesimin e verbër se këta ministra janë mbi ligjin dhe se paranë publike e konsiderojnë si mjet për të mbuluar deficitet e tyre të gjithanshme, pa ndjerë kurrfarë përgjegjësie për to, e për mënyrën se si shpenzohen ato.
Keqpërdorimi dhe abuzimi i jashtëligjshëm i këtyre dy ministrave, ngjashëm si edhe afera të tjera korruptive që i kemi ngritur më parë e që po dalin në shesh për çdo ditë, tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie dhe papërgjegjësinë e saj karshi ligjit e qytetarëve.