Tahiri e pyet Kurtin pse e la Radojiçiqin të ikte më 24 shtator: Mos na trego tani se çfarë po bën në Rashkë
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për riorganizimin e grupit të Milan Radojçiqit në Rashkë.
Tahiri ka thënë se Kurti para se të flasë se çfarë është duke bërë Radojiçiqi në Rashkë, “është mirë të tregojë pse e la të ikte me 24 shtator”.
“Në kohë reale më 24 shtator nga pamjet që janë siguruar nga droni i institucioneve të sigurisë ata kanë parë Radojiçiqin në manastirin e Banjskës. Pra pse është lënë të ikë një person që tashmë po përbënte kërcënim serioz për vendin tonë, ku kishte organizuar një akt terrorist dhe kishte urdhër-arrest nga institucionet e Kosovës”.
“Ai është i dyshuar për një sërë veprash penale në vendin tonë. Ai atë ditë nuk do duhej të lejohej të ikte, por është dashur të kapej nga Policia e Kosovës dhe të sillej para organeve të drejtësisë. Para se me na tregu kryeministri se çfarë po bën Radojiçiqi në Rashkë, mirë është me na tregu kryeministri pse e la me ikë atë ditë”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.