Tahiri e Rukiqi bisedojnë për forcimin e ligjit në fushën komerciale
Në takimin e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, është zhvilluar një diskutim me ekonomistë e zyrtarë ligjorë në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe Biznesi”.
Tahiri ka treguar se qëllimi i këtij takimi është të mblidhen mendime dhe rekomandime nga odat ekonomike, shoqatat e bizneseve, dhe profesionistëve të tjerë lidhur me gjendjen aktuale të sundimit të ligjit për bizneset, raporton “Ekonomia Online”.
“Unë kam filluar një reformë ndërsektoriale dhe është reforma më e gjerë, më e thellë që është bërë ndonjëherë në sektorin e sundimit të ligjit. Është një reformë që udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë dhe pjesë e saj janë Ministria e Financave, Këshilli Gjyqësor Prokurorial dhe Ministria e Punëve të Brendshme, dhe jemi duke përmbyllë fazën e parë të saj. Qëllimi është ta nxjerrim një strategji ndërsektoriale ku nga korriku do ta fillojmë implementimin e saj”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se një ndër shtyllat më të rëndësishme ligjore është drejtësia komerciale.
“Kam pasur një bashkëpunim me USAID-in ku kemi edhe ekspertë që do të angazhohen direkt në këtë shtyllë. Unë e konsideroj të rëndësishme bashkëpunimin dhe rekomandimet e juaja. Para se të mendojmë për investitorët e huaj le të mendojmë për këta që i kemi këtu. A ka nevojë Kosova për një gjykatë komerciale, cilat do të ishin çështjet që duhet të diskutohen në atë gjykatë. Dua t’i dëgjoj mendimet e juve dhe t’i marr me shkrim rekomandimet e juaja, sepse ju jeni ata që ballafaqoheni në baza ditore me këto çështje”, është shprehur Tahiri.
Ndërsa kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë se ka shumë raste të bizneseve që hezitojnë të ecin tutje me punën e tyre për shkaqe ligjore.