Tahiri: Ekonomia e Kosovës është drejt kolapsit
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka quajtur ekonominë e Kosovës të dëmtuar e në buzë të kolapsit.
“Ekonomia duam apo nuk duam ta pranojmë është para kolapsit. Është një situatë emergjente qe po vjen në buzë të një situatë katastrofe në Kosovë, të një bankrotimi total dhe të një mos reflektimi absolut të qeverisë”, ka thënë Tahiri në Kuvendin e Kosovës.
Më tutje, ka renditur disa pika, ku sipas tij Ministria e Financave bashkë me qeverinë kanë dështuar.
“Në tri vitet e fundit kostoja e jetës, për qytetarët e Kosovës, për secilën ekonomi familjare si për ata të punësuar si ata të papunë është rritur në masë dramatike. Pra me e thjeshtësuar situata sot tri vite pas është e papërballueshme dhe si rrjedhojë kërkon që t’i kërkoj llogari kësaj qeverisje”.
“Kjo qeveri për dy vjet e nëntë muaj nuk ka arritur t’i ekzekutojë në investime kapitale një miliard 125 milionë euro, të dhëna që vijnë prej raporte vetë të ministrisë së Financave. Kjo nënkupton që gjithçka që lidhet me ekonominë e Kosovës është e dëmtuar, për shkak se invesitori kryesor në sektorin privat në Kosovë vjen drejtpërdrejt prej investimeve publike që i bën qeveria e Kosovës”, ka thënë Tahiri.