Tahiri: Escobari menjëherë kërkon Asociacionin
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë – Serbi, Edita Tahiri, ka komentuar vizitën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Prishtinë.
Sipas Tahirit, Escobari menjëherë kërkon themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Escobar kërkon Asociacionin menjëherë, siç po shihet as përpjekja e fundit të Kurtit për ta shmangur nuk pati sukses, madje as ‘tymi nga veriu’ nuk e ndihmoi”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
Escobar në një intervistë për REL, ka theksuar se asociacioni duhet të themelohet menjëherë.
“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës”, ka deklaruar Escobar.