Tahiri: Fatura e mbeturinave tani mund të paguhet në Postë pa provizion
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka bërë me dije se tani e tutje qytetarët e kësaj komune faturën për taksën e mbeturinave do të mund ta paguajnë edhe nëpërmjet Postës së Kosovës pa provizion.
Ai ka treguar se kjo është bërë e mundur përmes nënshkrimit të marrëveshjes me drejtorin e Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.
Sipas Tahirit, pagesa e faturave në postë shmang radhën e pritjes në komunë dhe ulë rrezikun e keqpërdorimeve.
“Nga tani e tutje qytetarët e Vushtrrisë faturën për taksën e mbeturinave do të mund ta paguajnë edhe nëpërmjet Postës së Kosovës, pa provizion. Për këtë sot kam nënshkruar marrëveshje me drejtorin e Postës së Kosovës. Me këtë komuna lehtëson pagesën e taksës së mbeturinave për qytetarët, shmang radhën e pritjes në komunë dhe ulë rrezikun e keqpërdorimeve”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/