Tahiri flet për Kodin e Procedurës Penale
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se vitin 2019 e kanë filluar me miratimin në Qeveri të projekt Kodit të Procedurës Penale.
Ai ka thënë se ky është një ndër aktet më të rëndësishme që synojnë shtimin e efikasitetit të organeve të pavarura të zbatimit të ligjit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Në mesin e shumë ndryshimeve përmbajtjesore që i kemi adresuar në Projekt Kod, është përfshirë edhe politika e re e gjykimit në mungesë. Ka qenë domosdoshmëri që atyre që kanë rënë ndesh me ligjin, veçmas atyre që kanë keqpërdorur paranë publike t’ua pamundësojmë shmangien e ballafaqimit me drejtësinë, ku përmes gjykimit në mungesë kemi mundësuar që proceset gjyqësore të marrin epilog”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ministri Tahiri ka thënë se nga momenti kur Kodi të hyjë në fuqi pas miratimit në Kuvendin e Kosovës, të pandehurit që vullnetarisht nuk paraqiten në seancat gjyqësore nuk do mund ta vonojnë procedurën.
“Në rastet kur prokurori nuk mund të gjejë të pandehurin pas përpjekjeve të arsyeshme, gjykimi do të jetë në gjendje të mbahet sipas neneve të propozuara në Kod. Në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian, gjykimi në mungesë do të jetë instrument i rëndësishëm që pamundëson shmangien nga drejtësia, veçmas për krimet e rënda siç janë krimet e luftës”, ka shkruar ministri Tahiri.