Tahiri: Gjatë këtij viti janë kryer 85 ekstradime
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se gjatë vitit 2018 janë kryer 85 ekstradime për personat që kanë kryer vepra të ndryshme penale.
“Përgjatë një viti kemi qenë të përkushtuar për luftimin e krimit të organizuar trans-nacional dhe ballafaqimin me drejtësinë për kryesit e veprave penale, ku nga janari deri më sot janë kryer 85 ekstradime, më shumë se ç’kanë ndodhur për vite të tëra marrë së bashku. Me këto shifra, Republika e Kosovës është bërë lider në rajon dhe një prej kontribuuesve më të mëdhenj kundër veprave penale dhe krimit të organizuar, duke u bërë një adresë e fuqishme e ndëshkueshmërisë së krimit trans-nacional”.
“Ky bashkëpunim i Ministrisë së Drejtësisë dhe organeve të tjera në fushën e sundimit të ligjit me vendet me të cilat Kosova ka marrëveshje bilaterale të kësaj fushe, tregon për rritjen e besimit të mirëfilltë, të cilin po e konsolidojnë institucionet tona në arenën ndërkombëtare. Sot, në mbledhjen e Qeverisë kërkova miratimin e koncept-dokumentit për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështje penale, që i hap rrugë ndryshimit të ligjit përkatës. Kështu do të evitojmë pengesat, do të shtojmë edhe më tutje praktikat e efikasitetit që do të rrisin performancën e institucioneve tona dhe do të rrisin sigurinë e qytetarëve tanë, duke iu mundësuar atyre një ambient tek i cili krimi i organizuar trans-nacional nuk do të mund të gjejë strehë”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/