Tahiri: Gjenerata e re e politikanëve evropianë si Kurz e Mogherini me lehtësi angazhohen për prekje kufijsh
Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila për disa vite ka qenë kryenegociatore e Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, ka komentuar deklaratën e kancelarit austriak, Sebastian Kurz, i cili gjatë një konference për medie në Prishtinë tha se Austria dhe BE-ja mbështesin korrigjimin e kufirit me Serbinë.
Tahiri ka thënë se gjenerata e re e politikanëve evropianë, si Sebastian Kurz e Federica Mogherini, me lehtësi të padurueshme angazhohen për prekje kufijsh.
Sipas saj, ata kanë qenë fëmijë apo moshë adoleshente kur nisen luftërat e përgjakshme të Serbisë kundër Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë.
“Gjenerata e re e politikanëve evropianë, si Kurz e Mogherini, me lehtësi të padurueshme angazhohen për prekje kufijsh, sepse nuk i kanë parë as përjetuar luftërat dhe gjenocidet ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Ballkan. Ata kanë qenë fëmijë apo moshë adoleshente kur nisen luftërat e përgjakshme të Serbisë kundër Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e saj në “Facebook”.
/Epoka e re/