Tahiri: Gjykimi i kriminelëve të luftës, e vetmja rrugë për të ardhmen e përbashkët
08 maj 2019
| 12:16
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë pjesë në takimin e parë koordinues për themelimin e task forcës dhe trupit monitorues të Strategjisë së krimeve të luftës, organizuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Me këtë rast, ministri Tahiri ka theksuar se pavarësisht që kanë kaluar 20 vjet nga lufta, kjo temë vazhdon të mbetet e freskët dhe nuk mund të venitet përveçse duke u ballafaquar me të.
“Këto viktima të krimeve të luftës, civilët e pafajshëm që janë persekutuar, vrarë, torturuar duke mos u marrë parasysh as për nga mosha, as për nga gjinia, si dhe familjarët e tyre që e kanë përjetuar këtë ankth, ende e kanë të freskët memorien dhe të cilët, sot, pa dallim etnie, pa dallim gjinie, kërkojnë drejtësi”, ka thënë Tahiri.