Tahiri: Gjyqësori efikas, mundësia e vetme për investime dhe ndërmarrësi
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka takuar sot profesorët dhe studentët e Fakultetit Juridik, në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe Biznesi”, me të cilët ka biseduar për çështje të drejtësisë komerciale dhe mbi alternativën e themelimit të një gjykate të specializuar në çështje komerciale.
Ministri Tahiri ka potencuar rëndësinë e rritjes së kapaciteteve të gjykatave në trajtimin e lëndëve të fushës tregtare, meqenëse aktualisht kjo është barrë e vetëm një departamenti në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
“Kemi ende sfida në plotësimin e kapaciteteve të kësaj natyre, dhe nuk do të rrimë indiferent përballë këtij fakti. Nuk mund të lejojmë që bizneset vendore dhe ato të huaja të luhatin besimin në institucionet e drejtësisë. Jemi duke kërkuar alternative dhe kësaj i kontribuon edhe përvoja dhe dija juaj”, ka thënë Tahiri.
Ministri Tahiri ka përmendur si mangësi edhe mungesën e profilizimit të gjyqtarëve, duke bërë me dije se për këtë gjë, ka biseduar edhe me drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë të Gjermanisë, me të cilët janë pajtuar për trajnime dhe profilizime të mëtejmë të gjyqtarëve në trajtimin e çështjeve komerciale.
Përveç forcimit të profesioneve të lira ligjore, që lehtësojnë qasjen në drejtësi, ministri Tahiri ka potencuar se efikasiteti i gjyqësorit do të mundësoj tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e ndërmarrësisë.
/Epoka e re/