Tahiri: Gjyqësori ka marrë një dimension të ri gjatë dy viteve të fundit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë pjesë në “Konferencën e nëntë vjetore e gjyqësorit të Kosovës”, me ç’rast ka thënë se sundimi i ligjit është temë e karakterit kombëtar që tejkalon politikën dhe përditshmërinë e saj.
“Shoqëria pret angazhim të plotë e të pa kompromis në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe në drejtësinë në të cilën besojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Sundimi i ligjit është temë e karakterit kombëtar, që tejkalon politikën dhe përditshmërinë e saj. Prandaj, ju jeni garancë e shtetit të ligjshëm, jeni garancë e barazisë para ligjit, pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve, dhe besimi i qytetarëve në drejtësi, varet ekskluzivisht nga puna e juaj e pavarur”, ka deklaruar Tahiri.
Duke folur për sistemin e drejtësisë në Kosovë, ministri Tahiri tha se gjyqësori, ka pasur zhvillime thelbësore dhe ka marrë një dimension të ri e kuptimplotë gjatë këtyre dy viteve të fundit duke përmendur kështu edhe shtrirjen e autoritetit gjyqësor në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Kur jam emëruar ministër i Drejtësisë, 4 komunat veriore të vendit, ende nuk ishin pjesë e sistemit tonë gjyqësor. Sot, zbatohet një autoritet suprem gjyqësor në secilin qytet dhe në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, që ofron shërbime dhe zbaton drejtësinë për të gjithë qytetarët e vendit pa përjashtim, ashtu siç e ka përcaktuar Kushtetuta”, deklaroi ministri Tahiri.
Ministri Tahiri përmendi edhe rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionale, rritjen e pagave të tyre dhe pavarësinë e funksionimin e gjyqësorit gjatë periudhës dyvjeçare.
“Të gjitha këto, janë derivat i dialogut të mirëfilltë institucional që kemi pasur, i politikave publike si dhe ligjeve, për të cilat unë si Ministër jam angazhuar përgjatë dy viteve të fundit”, deklaroi ai.
Ndër tjerash, ministri Tahiri tregoi se edhe në rrafshin praktik është karakterizuar puna e përbashkët e institucioneve të drejtësisë gjatë këtyre dy viteve.
“Përmes rrafshit ligjor, kemi mundësuar themelimin e Departamentit Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, si dhe kemi rivënë në funksion Dhomën Speciale në Gjykatën Supreme. Kemi nisur bashkërisht reformën më të madhe në sistemin e drejtësisë, Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, i cili sot është në përmbyllje dhe që do t’i japë sistemit të drejtësisë, karakterin dhe identitetin e vet unik”, tregoi ministri Tahiri
I pari i dikasterit të drejtësisë, Tahiri, tha se është shënuar një punë e mirë edhe në reduktimin e lëndëve të pazgjidhura, është rritur performanca e sistemit të drejtësisë, krahas obligimeve ndër institucionale për koordinim të mirëfilltë në këtë sektor, gjë që sipas tij është arritur me agjendën e përbashkët, Drejtësia 2020.
“Të gjitha këto masa, kanë lënë gjurmë në përditshmërinë e qytetarëve, kanë lënë gjurmë në konsolidimin e pushtetit të gjyqësorit dhe natyrisht se kanë lënë gjurmë edhe në raportet vendore e ndërkombëtare”, tha ministri Tahiri.
Para të pranishmëve, Tahiri tha se krahas legjislacionit që flet direkt për gjyqësorin, është shënuar progres i matshëm edhe në rregullimet tjera, që ua lehtësojnë punën gjyqtarëve.
“Integrimi i plotë i Ndërmjetësimit është njëra nga to, ndryshimet në drejtësinë penale, të drejtat pronësore, kodifikimi i të drejtës civile që është në përmbyllje, si dhe ligjet tjera në luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar, juve të nderuar gjyqtarë, ju vënë qendër të zbatimit të ligjit”, deklaroi Tahiri.