Tahiri heq dorë nga bizneset për të mbetur deputet
Labinot Tahiri ka hequr dorë nga dy biznese për t’i ikur konfliktit të interesit dhe për të mbetur deputet.
Agjencia Kundër Korrupsionit ka mbyllur rastin e hetimit të deputetit Labinot Tahiri për konflikt interesi, pasi Tahiri ka hequr dorë nga dy biznese, person i autorizuar i të cilave ishte.
Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, një zyrtar i lartë nuk mund të jetë edhe zyrtar i tillë e edhe person i autorizuar në biznese.
AKK-ja në njoftimin e saj të publikuar për pushimin e hetimeve ndaj deputetit, tregon se e ka njoftuar deputetin se ndodhet në konflikt të mundshëm interesi.
Më pas, sipas AKK-së, deputeti ka njoftuar nëpërmjet një të autorizuari të tij se ka hequr dorë nga dy bizneset, duke e dëshmuar këtë me një dokument zyrtar të lëshuar nga Agjencia e Regjistrimut të Bizneseve (ARBK)
“Pas këtyre veprimeve nga Labinot Tahiri kemi pranuar dokumentin zyrtar nga ARBK-ja ku dëshmohet se zyrtari i lartë Labinot Tahiri nuk figuron më si person i autorizuar në bizneset private me emër ‘ICON#S’ Sh. P. K. dhe N. Sh. P. ‘Erzana’”, thuhet në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit. /Kallxo.com