Tahiri i AAK-së: Kurti është dorëzuar, qeveria duhet të shkarkohet
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar për bllokimin e komisionit hetimor për rezervat shtetërore nga Lëvizja Vetëvendosje.
Tahiri ka vlerësuar se një precedent i tillë është i rrezikshëm. Në këtë kontekst, ai ka kërkuar që të shkarkohet qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.
“Në kërkesën e medieve për propozimin e PDK-së për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 9 qershor, theksova se ne jemi në diskutim me grupet parlamentare dhe do të kemi një qëndrim. AAK-ja e ka pozicionin më komod në këtë temë. Ne jemi për të shkuar në zgjedhje sa më shpejtë që është e mundur. Por, mendojmë që kjo qeveri duhet të shkarkohet. Kemi qenë të parët që kemi propozuar inicimin për shkarkimin e kësaj qeverie ose të dorëhiqet. Kryeministri Kurti është dorëzuar dhe veç një qëllim e ka se si ta gjejë një formë për t’ia lënë fajin opozitës për të shkuar në zgjedhje”, ka shkruar Tahiri në “Facebook” pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.