Tahiri i AAK-së, Kusari-Lilës: Thikë pas shpine ndaj vendit, marrëveshje të thellë e në thelb me Radojçiqin
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, me tone të ashpra i është drejtuar shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, pas publikimit të një incizimi të ri të bisedës me kryekriminelin Milan Radojçiq.
“Ky kuvend, qytetarët meritojnë ta dinë për çfarë kushtesh është negociuar me terroristin Milan Radojçiq. Cili ka qenë pazari i këtij negocimi? Aty nuk flitet për ligje që kanë të bëjnë me komunitete, nuk flitet për çështje që trajtohen në kuvend në raport me 2/3. Aty diskutohet për një ligj që prek secilin njeri për pagën minimale, dhe veteranët e UÇK-së. Ne duhet ta dimë se ky koordinim a është një thikë pas shpine ndaj demokracisë së Kosovës”.
“Që nga nisja e kësaj legjislature neve na është thënë këtu se nuk ka koalicion me Srpskan, asnjë marrëveshje me te, bile e keni thënë me mburrje. Përgjimet vërtetojnë se një marrëveshje e thellë dhe në thelb, ka ndodhë. Kjo qeveri nuk ka etikë politike, po të kishte etikë ishte dashur të flasim që janë pa ushqim. Po të kishte etikë do të duhej të dorëhiqet dikush, se është ka vjedhjet më të madhe. I drejtohem Kusari-Lilës, të vërtetën e din ky popull për Ramush Haradinajn. Dhe e din kush je ti. Dhe nuk mundesh me ardh ti me na shit moral për atë temë”, ka thënë Tahiri.