Tahiri i AAK-së në Ditën e Çlirimit: Liria e ka emrin UÇK
Shefi i grupit parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se 25 vjet më parë në Kosovë ka ndodhur mrekullia.
Gjatë fjalës së tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, ai përmendi heronjtë e luftës, dëshmorët e të gjallët që dhanë shumë për liri.
“25 vjet më parë këtë vend ka ndodh mrekullia, pas shekuj përpjekjesh e betejash e pas mijëra e mijëra shqiptarëve të vrarë, të burgosur, Kosova dhe qytetarët e saj më në fund u çliruan, pra ishim të lirë. Kosova dhe qytetarët e saj përjetë do të kujtojnë këtë datë që pa dyshim është data më e rëndësishme në historinë tonë. E kemi për detyrë t’iu përulemi të gjithë atyre dëshmorëve e heronjve ndër breza, duke filluar nga Adem Jashari, Shkëlzen e Luan Haradinaj, Zahir Pajaziti, e Agim Ramadani që luftuan për liri që sot po e gëzojmë. E kemi obligim t’i kujtojmë edhe gjithë luftetarët trima të UÇK-së që kanë rënë në betejat e tyre, por edhe këta që janë gjallë, që ia kthyen pushkët regjimit më të egër të pushtetit i cili deshi të na shfarojë. Padyshim në këtë ditë s’kemi si të mos kujtojmë mijëra veprimtarë të fushave të ndryshme, Adem Demçain me shokë që në etapa të ndryshme të historinë sonë e vendosën një gur në kalanë e lirisë”.
Kujtojmë kontributin e pamohuar të gjithë atyre nga lëvizjet e hershme kombëtare e deri te lëvizja pacifiste e presidentit Ibrahim Rugova. S’kemi si të mos i përmendim edhe Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerë të cilët kanë dhënë kontribut të madh në luftën e drejtë për liri dhe shpresoj qe drejtësia do të triumfojë edhe për ta. Mirënjohje e përjetshme aleatëve tonë. Falenderojmë shtetet mike që janë me ne në çdo rrugëtim tonin dhe kanë qenë me ne e na kanë ndihmuar në çlirimin e Kosovës”, ka thënë Tahiri, raporton “KK”
Më tutje, Tahiri ka thënë se liria ka emër dhe ai emër është UÇK.
“A ka mund të bëhet më mirë, sigurisht se po. Ka disa zëra në këtë vend që thonë se nuk është bërë shumë për 20 vjet, por e vërteta është krejt ndryshe. Ky vend u ndërtua nga asgjëja, nga hiri, ky vend ishte i shkatërruar dhe këtë hir e lanë pushtuesit tanë. Sot Kosova është e barabartë me vendet që kanë traditë mbi 100 vjeçare shtetërore, jemi të lirë dhe shtet që respekton të gjithë. Të punojmë bashkë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, në Këshillin e Evropës, në BE, në Kombet e Bashkuara dhe natyrisht të përmbyllim marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë me Serbinë. Këto nuk arrihen pa partnerit të fortë me aleatë perëndimor, para se gjithash me ShBA-në dhe vendet e BE-së. Liria ka emër dhe ai emër është UÇK e cila u ndihmua nga NATO-ja dhe sot 25 vjet më vonë jemi bashkë e të lirë”, është shprehur Tahiri