Tahiri i AAK-së: Raporti i KE-së, më i dobëti që ka marrë Kosova ndonjëherë
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se vlerësimi i Komisionit Evropian (KE) për Kosovën është më i dobëti që një qeveri e ka marrë ndonjëherë.
“Ky është raporti më i ashpri, me fjalët më të rrepta që është marrë”, ka thënë Tahiri në fjalën e tij në Kuvend.
Si problem, ai ka thënë se janë angazhimet e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili në supe bartë edhe procesin e integrimit.
“Propozojmë që Bislimi ta dorëzojë agjendën e integrimeve te një ministër, sepse ai nuk ka kohë, duke u marrë me detyrën kryesore, dialogun me Serbinë”, ka thënë Tahiri, duke shpalosur detaje nga raporti i Komisionit Evropian për këtë vit.
“Në raport theksohet 32 herë mungesa e progresit. 49 herë theksohet se ka progres të mangët, 59 herë që ka njëfarë progresi, 42 herë që është bërë progres dhe 15 herë aspekte të tjera, ndërkaq vetëm 8 herë theksohet se ka progres të mirë”.
“Ky vlerësim ka dhënë një diagnozë për qeverinë në raport me integrimet. Është regres, dështim dhe paaftësi për të qeverisur”, ka thënë Tahiri.