Tahiri i del në mbrojtje Lekajt: Faji i tij është që për 18 muaj përfundoi 68 kilometra autostradë

01 shkurt 2024 | 15:07

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me rastin e 53-milionëshit ku Pal Lekaj është shpallur fajtor.

Tahiri ka thënë se Lekaj nuk është ende fajtor, derisa nuk ka një vendim të plotfuqishëm të gjykatës.

Tahiri ka ironizuar duke thënë se faji i vetëm i Lekajt është se ai ka përfunduar për 18 muaj 68 kilometra autostradë.

“Faji i vetëm i Palit është që për 18 muaj i ka përfunduar 68 kilometra autostradë, ndërsa vepra më e madhe infrastrukturore, ura te Kaçaniku u përfundua. Me të u lavdëruan të gjithë, madje edhe Albin Kurti!”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.

Postimi i plotë i Tahirit:

Larg Prishtinës, duke e përcjellë debatin, qëndrimet dhe deklaratat edhe të disa deputetëve e zëvendës ministrave për vendimin për kolegun tim, Pal Lekaj, më duhet t’i them disa të vërteta që janë bardhë e zi:

1. Askund në botën demokratike nuk është fajtor derisa nuk ka një vendim të plotfuqishëm të Gjykatës, pra as Pali e askush nuk është.

2. Pali në asnjë moment, kurrë nuk u akuzua nga drejtësia se ai mori apo tjetërsoi “Bechtelin” amerikan. Pra, ju lutem të keni kujdes, nuk kemi të bëjmë këtu, që Pali apo të tjerët morën 53 milionë euro në një paletë dhe i çuan në shtëpi. Kjo as nuk është akuza, e as ende s’ka dalë dikush që kushtëzon kompanitë amerikane, në veçanti siç është “Bechtel-Enka”. Fatkeqësisht për Palin e të tjerët ky sot është përcepcioni publik për ta.

3. Çka duhet të dinë qytetarët? Rasti i Autostradës ka të bëjë me një vendim kolegjial që është votuar në qeveri e diskutuar në komision ndër-ministror për t’ia paguar 53 milionë euro kompanisë si dënim në mos përmbushjen e kontratës, që ende është konfidenciale, e që Pali as nuk e ka nënshkruar, e as se ka negociuar.

4. Faji i vetëm i Palit është që për 18 muaj i ka përfunduar 68 kilometra autostradë, ndërsa vepra më e madhe infrastrukturore, ura te Kaçaniku u përfundua. Me të u lavdëruan të gjithë, madje edhe Albin Kurti!

5. Ata qe e lexojnë këtë postim e që kanë qenë afër informatave, e dinë që Kosova në atë kohë ka qenë në një situatë të thjeshtë, por shumë të vështirë. Pyetja ka qenë: A po e paguani borxhin apo takohemi në arbitrazh e atje sqarohemi? Pra, Pali dhe Qeveria është dashur të vendosin.

6. Pyetjen që po e shtroj sot: A e kishit akuzuar Palin sot, në qoftë se e kishim humbur rastin në Arbitrazh dhe i kishim humbur nja 200 milionë euro, ndërsa autostrada ende do të ishte e papërfunduar? Pra, a ishte akuzuar për: Mosveprim dhe keqpërdorim të detyrës, sepse ia humbi Kosovës qindra milionë euro, se “u lidh Pali me ta!”.

Koha i vërteton të gjitha, për krejt njerëzit, për të bëmat dhe jo të bëmat, për veprat e mira e të këqija, edhe në këtë rast do të vërtetohet.

Pra, të dashur miq, këtu nuk është tema, e as akuza se janë marrë ose vjedhur 53 milionë euro, por çështja e vetme është: A ka fituar Kosova a jo me vendimin për ta paguar borxhin dhe se a kishte fituar më shumë apo humb më shumë të mos e kishte marrë këtë vendim?

Një gjë dihet, Kosova sot e ka Autostradën e Urën si vepër madhështore infrastrukturore, kurse dje Pali u gozhdua për diçka që është dashur të vlerësohet!

Drejtësi dhe vetëm drejtësi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-181 për Vlerësimin e…