Tahiri i PDK-së: Çfarë është dalluar Osmani në politikën e jashtme, përveç mllefit që e përdorë si armë?
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kritikuar politikën e jashtme të Kosovës, e cila përfaqësohet edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
Përveç mllefit, Tahiri ka thënë se Osmani nuk ka treguar kurrfarë rezultati as në politikën e brendshme dhe as të jashtme.
“Gjatë vitit 2022, Kosova nuk ka pasur asnjë njohje të re, nuk është anëtarësuar në Këshill të Evropës, as në Interpol, nuk ka as liberalizim vizash e as status kandidati për BE, as anëtarësim në Partneritet me NATO-n, dhe për më keq, vet përbërja e shtetit tonë është bërë temë diskutimi në koncept nota e propozime. Kështu që në Konferencën e Ambasadorëve që u mbajt dje, presidentja Osmani iu dha leksion ambasadorëve të Kosovës, se si duhet të flasin e përfaqësojnë Kosovën, pa pasur t’iu japë as edhe një shembull të vetëm, se si ajo e ka përfaqësuar vendin, çka ka arritur e me çka është dalluar në politikën e brendshme apo të jashtme gjatë këtij viti, përveç mllefit që e përdorë si “armë” për të mbuluar deficitet politike”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.