Tahiri i PDK-së i kërkon Kurtit që t’i takojë sot veteranët e UÇK-së e jo nesër
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar ndërprerjen e seancës së sotme, pasi ka thënë se veteranët kanë dalë për të protestuar në temperatura 30 gradë celsius .
Por, kryeministri Kurti i ka replikuar deputetit Tahiri, duke thënë se takimi me veteranët do të ndodh nesër (e premte) dhe se sot nuk është në rend dite paga minimale, prandaj sipas tij, nuk duhen sakrifikuar pikat e sotme të rendit të ditës.
Në fjalën e tij, deputeti Abelard Tahiri, ka thënë se pakënaqësia e veteranëve ka të bëjë me vendimin e deputetëve të Vetëvendosjes.
“Prandaj ky debat ka filluar para një muaji dhe ne kemi kërkuar mirëkuptimin që veteranët të mos jenë një kategori që ne përplasemi në Kuvend. Sot kur po protestojnë në temperatura 30 gradë. Sot ne nuk mundemi me i injoruar. Po kërkojmë që të ndërpritet kjo seancë sepse nuk mund t’i përbuzim ata njerëz dhe t’i takoni dhe të arrini një marrëveshje dhe pastaj ne mund të kthehemi në normalitet”, ka thënë Tahiri.
Më tutje, Kurti i ka thënë Tahirit se sot ka pika të tjera në rend dite dhe s’bënë të sakrifikohen ato.
“Të hënën ka qenë paga minimale, nuk është në rregull të ndërpritet seanca, sot kemi pika të tjera të rendit të ditës që s’bën t’i sakrifikojmë, prandaj po them të vazhdojë seanca”, ka thënë Kurti.
Pas kësaj ka reaguar Abelard Tahiri. Ai ka thënë se kryeministri Kurti duhet ti fillojë sot takimin me veteranët dhe jo nesër.
“Kërkesë e jona është që këta akterë, qeveria, komisioni e veteranët të takohen sepse sot kemi një protestë. Unë e di që sot s’mund të zgjidhet problemi por sot duhet të fillojë takimi”, ka thënë Tahiri.