Tahiri i PDK-së: I vetmi projekt ‘madhor’ i qeverisë Kurti vazhdon të mbetet pagesa e rrymës për serbët në veri
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar Ligjin e Buxhetit për vitin 2024, të cilin dje e ka miratuar Kuvendi i Kosovës.
Ai ka thënë se projekti i vetëm “madhor” i kësaj qeverie vazhdon të mbetet pagesa e energjisë elektrike për serbët në veri.
Tahiri ka bërë me dije se vetëm në vitin 2021 dhe 2022, qeveria Kurti ka paguar mbi 113 milionë euro energji për serbët.
“Dje, Kuvendi i Kosovës, me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, miratoi projekt-buxhetin e katërt të Qeverisë Kurti. I vetmi projekt ‘madhor’ i kësaj qeverie vazhdon të mbetet pagesa e energjisë elektrike për serbët në veri. Mbi 113 milion euro të paguara vetëm për vitet 2021 dhe 2022, ndërsa dhjetëra miliona borxhe për vitin 2023. Mbetet të shihen humbjet milionëshe në vitin 2024”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.