Tahiri i PDK-së: Kjo Qeveri nga arroganca po nxjerr vendime antikushtetuese
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e ka quajtur Qeverinë e Albin Kurtit të paditur në hartimin e ligjeve.
Tahiri në një prononcim dhënë për Blic, thekson se, padituria dhe arroganca e kësaj Qeverie ka bërë që shumica prej ligjeve, të rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese.
Madje, ai i ka krituar edhe për mos-koordinimin me rekomandimet e opozitës, që sipas tij, çojnë në nxjerrjen e vendimeve anti-kushtetuese.
“Zanafilla e kësaj është te padituria dhe arroganca e kësaj qeverie. Së pari, janë të paditur kur hartojnë vendime e ligje që bien ndesh me Kushtetutën. Së dyti, janë arrogantë kur nuk marrin parasysh rekomandimet e opozitës dhe organizmave ndërkombëtare dhe kështu, kokë më vete, nxjerrin vendime antikushtetuese”, tha Tahiri.
Tahiri tutje thotë se, vendimet e Qeverisë së Albin Kurtit kanë reflektuar tendencat autoritariste të Qeverisë, të cilat sipas tij, kanë rrezikuar kushtetutshmërinë.
“Për më tepër, shumë herë, vendimet e kësaj mazhorance janë rrëzuar nga Kushtetuesja sepse ato kanë reflektuar tendencat autoritariste të Qeverisë, të cilat kanë rrezikuar kushtetutshmërinë dhe parimet e ndarjes së pushteteve e të funksionimit të një shteti demokratik”, tha Tahiri.