Tahiri i PDK-së: Kryeministri Kurti tejkaloi organin e akuzës

16 dhjetor 2024 | 13:05

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se është mesazh i keq për qytetarët se si e tejkalon kryeministri Albin Kurti organin e akuzës.

Këtë deklaratë, Tahiri e ka dhënë pasi Kurti nuk i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë Speciale për intervistim në cilësinë e dëshmitarit për rastin e rezervave shtetërore me arsyetimin e gjendet jashtë vendit.

“Në radhë të parë është mesazh i keq për qytetarët se si e tejkalon kryeministri organin e akuzës dhe siç e dini që më bazë të Kushtetutës, pushtetet janë të ndara. Organi i akuzës është ai që ndalon keqpërdorimet dhe korrupsionin dhe me këtë rast organi i akuzës ka diçka për të sqaruar. Mendoj që është mesazh i keq ajo se çfarë u pa sot”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Më tutje, Tahiri ka folur edhe për projektligjet të cilat PDK-ja i ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Seancat e mbajtura më 5 dhjetor kanë qenë seanca që na u pamundësua pjesëmarrja e opozitës. Këtë vërejtje ia shpreha edhe kryetarit dhe mazhorancës. Nuk ka qenë bojkotim i opozitës dhe jemi ftuar dy minuta me vonesë. Në rast se një praktike e tillë legjitimohet nga Kushtetuesja, do të jetë e dëmshme për demokracinë. Siç e dini ne i kemi dërguar 19 projektligje dhe presim që të merret vendimi në favor tonin”, ka thënë Tahiri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimet: 16.12.2024 *ÇAGLLAVICË - (Në të dy anët e rrugës)…