
Tahiri i PDK-së, ministrit të AAK-së: Dilni në opozitë dhe ta rrëzojmë këtë qeveri
Deputetët në seancën e sotme të Kuvendit kanë diskutuar edhe për Projektligjin për të drejtat pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës. Kjo çështje e ka përplasur ministrin e Drejtësisë, Selim Selimin me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahirin, i cili ka kërkuar që AAK-ja të dalë në opozitë për ta mundësuar rrëzimin e qeverisë.
Selimi fillimisht ka thënë se miratimi i këtij projektligji është obligim që vjen nga marrëveshja e MSA-së dhe se është e rëndësishme që të respektohet marrëveshja e parë kontraktuale që Kosova e ka me BE-në.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, duke thënë se kjo qeveri është e painteresuar që ta mbështesë këtë nismë.
“Vërtet ju përgëzoj për angazhimin tuaj personal për me çuar përpara një nismë të tillë. Në anën tjetër se sa kjo mazhorancë dhe ky kryeministër është i interesuar për me i mbështet ato kategori që i përmendet ju po e shihni edhe ju sot në Kuvendin e Kosovës. Mazhoranca sot nuk ka krijuar kushte për me kaluar një politikë e tillë, po del e parëndësishme për ju”, është shprehur Tahiri.
Ai ka thënë se kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi dhe vendi të shkojë në zgjedhje sa më parë.
“Këtu po e shohim jo seriozitetin tuaj dhe të kësaj qeverie në raport me një politikë me një obligim tonin në raport me BE-në që e kemi marrë dhe është dashur të kryhet para 5 viteve. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më shpejt dhe ju duheni me iu bashkuar opozitës, me i bërë votat bashkë me e çuar në shtëpi këtë qeveri sepse nuk keni potencial me kaluar as edhe një ligj të vetëm. Dhe ekzistenca më tutje e kësaj qeverie nuk ka kuptim”, ka thënë Tahiri.
Në kundër-replikë, ministri Selimi ka thënë se obligimet që dalin nga MSA-ja duhet t’i shohin si obligime të përbashkëta, të pozitës dhe opozitës.