Tahiri i PDK-së thotë se vendimin për shtrenjtim të rrymës do ta dërgojnë deri në Kushtetuese
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike
Ai në një konferencë për medie ka kritikuar deputetët e pushtetit për mosvotimin e rezolutës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
“Mosvotimi i kësaj rezolute na jep edhe më shumë argumente neve si deputetë të opozitës që t’iu drejtohemi instancave gjyqësore. Ato janë duke filluar nga Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe duke përfunduar në Gjykatën Kushtetuese në rast se është e nevojshme. Mirëpo për këtë çështje nuk mund të apelohet direkt në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo duhet përmes mekanizmave pra të Departamentit Administrativ në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Besoj, tashmë jemi duke u koordinuar me shefat e grupeve parlamentare, dhe do të tentojmë që në një afat sa më të shpejtë në mënyrë që të kërkojmë anulimin e këtij vendimi”, ka deklaruar Tahiri.