Tahiri: Iniciativat për konsensus kombëtar nuk do të kenë sukses
Politologu Ramush Tahiri nuk beson në suksesin e iniciativave të subjekteve politike për arritjen e konsensusit kombëtar rreth çështjeve të mëdha.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se iniciativa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë të pasinqerta dhe do të dështojnë.
Sipas tij, subjektet politike nuk do t’u përgjigjen pozitivisht këtyre iniciative, duke i vënë kushte njëra-tjetrës. Tahiri ka bërë me dije se iniciativat e tilla janë të shtyra nga pat pozicioni që gjenden pozita dhe opozita. Ai ka deklaruar se opozita nuk i ka 61 vota për ta rrëzuar Qeverinë, kurse kjo e fundit nuk e ka shumicën e nevojshme për t’i shtyrë proceset përpara
“Epoka e re”: Z. Tahiri, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka propozuar një platformë politike për bashkimin e spektrit politik në pesë tema. Po ashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thirrur një tryezë të partive për ta kërkuar konsensusin kombëtar për temat që e presin vendin. Si i keni parë këto iniciativa?
Tahiri: I ka shtyrë pat pozicioni i mbetur. Partitë opozitare nuk i kanë votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë, kurse Qeveria nuk i ka votat e mjaftueshme për t’i shtyrë programet e saj përpara. Asnjëra palë nuk mund t’i sigurojë 61 vota që janë të nevojshme në Kuvend. Gjithashtu, asnjë parti deri më tani nuk është deklaruar se dëshiron zgjedhje të parakohshme parlamentare. Si duket tani për tani nuk do të ketë zgjedhje të reja parlamentare dhe në këtë drejtim të gjitha partitë po e shfrytëzojnë për një lloj animimi të opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtar. Tani atyre po u duket argumenti më i mirë për t’u thirrur në konsensus kombëtar se duhet të ketë një marrëveshje të përgjithshme për çështjet madhore, dhe këtë po e bënë secila parti veçmas. Pas iniciativës për ta rrëzuar Qeverinë që nuk e çoi deri në fund, LDK-ja tash ka dalë me një propozim për ta realizuar një tryezë në të cilën do të diskutohet dhe do të arrihen parime për një konsensus kombëtar. Tash edhe Kadri Veseli në emër të PDK-së, gjithë liderëve të partive politike u ka dërguar një propozim për një platformë gjithëkombëtare, në të cilën i ka numëruar çështjet kryesore për të cilat duhet të arrihet konsensus. Ky konsensus po kërkohet në një tryezë të partive politike, që zakonisht atë duhet ta bëjë presidenti i Kosovës dhe kjo nuk po bëhet në parlament.
“Epoka e re”: Sipas jush, cili është qëllimi i këtyre iniciativa?
Tahiri: Qëllimi i këtyre iniciativave është për të blerë kohë dhe për të mos e humbur elektoratin. Pra, për ta mbajtur gjendjen e tensionuar në sensin pozitiv, duke thënë se kemi një agjendë dhe se jemi duke u munduar ta gjejmë një konsensus kombëtar për çështje të mëdha.
“Epoka e re”: Pra, mendoni se partitë politike janë të detyruara nga rrethanat për të ndërmarrë iniciativa të tilla?
Tahiri: Mendoj se situata aktuale i ka shtyrë këto subjekte të ndërmarrin veprime të tilla. Me këtë dëshirojnë të tregojnë se nuk janë duke qëndruar kot, por po marrin iniciativa politike.
“Epoka e re”: Besoni se do të kenë sukses këto iniciativa?
Tahiri: Këto iniciativa janë shumë të dëshirueshme dhe të nevojshme për faktin se Kosova ka humbur shumë kohë, dhe tani duhet për të ecur më shpejt se të gjitha vendet e tjera të rajonit për ta zënë hapin. Këto çështje nuk lidhen me programe veç e veç të subjekteve politike, por janë interes i të gjitha partive, para së gjithash, i popullit të Kosovës. Unë nuk pres rezultate, sepse synimet e asnjërit nuk janë të sinqerta. Secila parti dëshiron të bëhet prijëse e iniciativave të tilla. Në këtë mënyrë besoj se këto iniciativa do të jenë të dështuara, sepse subjektet politike nuk do t’u përgjigjen pozitivisht këtyre iniciativave, por do t’i vënë kushte njëra-tjetrës.
“Epoka e re”: Nëse nuk do të ketë konsensus nacional, si e shihmi zgjidhjen e këtyre çështjeve që për kërkohet konsensus
Tahiri: Nëse nuk ka konsensus kombëtar për këto çështje, atëherë ato duhet të diskutohen dhe votohen në Kuvend, pasi është institucioni më i lartë ku merren vendimet e rëndësishme. Do të ishte më e ndershme që këto çështje të hapen në Kuvend, të diskutohen aty dhe të shohë opinioni se kush çfarë po diskuton. Këta mund të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme për secilën prej këtyre pikave që po i propozon Kadri Veseli apo LDK-ja. Nëse konsiderojnë se kjo është ndonjë strategji e caktuar, këto çështje mund të diskutohen në Kuvend në ndonjë seancë të mbyllur dhe të shihet se cili është propozimi më i mirë. Konsensusi nuk bëhet pse dikush po thotë, por konsensusi arrihet pse një propozim është më i mirë, më gjithëpërfshirës apo më i zbatueshëm se të tjerët.
“Epoka e re”: Në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend pritet të diskutohet platforma e Qeverisë për finalizimin e dialogut me Serbinë. Çfarë mendimi keni për këtë platformë?
Tahiri: Më herët, kur janë nisur bisedimet, kemi pasur një rezolutë të Kuvendit, e cila prej miratimit asnjëherë nuk është shqyrtuar. Pra, asnjëherë nuk kemi pasur një raport të mirëfilltë të atyre që diskutojnë në Bruksel para Kuvendit. Tani është propozuar një platformë nga Qeveria, e cila do ta marrë formën përfundimtare në Kuvend. Besoj se ajo do të plotësohet, sepse secila parti do t’i japë propozimet e veta në Kuvend. Platforma që është propozuar i ka dy nivele: nivelin teknik, të cilin e udhëheq Avni Arifi dhe nivelin politik, të cilin do ta udhëheqë presidenti Thaçi. Përmes kësaj platforme synohet të arrihet një marrëveshje historike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo platformë është e mirë dhe e nevojshme. Një platformë e tillë do të ishte mirë t’i merrte qind për qind votat e deputetëve në Kuvend, duke përfshirë edhe votat e Listës Serbe.
“Epoka e re”: Si njohës i rrethanave politike në vend, çfarë do të duhej të përmbante tjetër kjo platformë?
Tahiri: Mendoj se platforma që ka propozuar Qeveria është e mirë. Ajo vetëm duhet të plotësohet me ndonjë propozim të opozitës. Unë nuk dëshiroj që në Kuvend të diskutohet se këto bisedime a duhet t’i udhëheqë presidenti Thaçi apo nëse z. Thaçi është figurë unifikuese. Mendoj se këto bisedime duhet t’i udhëheqë presidenti i vendit pa marrë parasysh se kush është në atë pozitë. Pra, Kuvendi për këtë çështje duhet të diskutojë profesionalisht. Platforma i ka përfshirë të gjitha çështjet që duhet të bisedohen dhe i jep drejtim dialogut. Mendoj se platforma duhet të parashohë që një herë në muaj të bisedohet në Kuvend për rezultatin e dialogut, nëse brenda muajit ndodhin tre ose katër takime në Bruksel.
Muhamet KOCI