Tahiri inspektoi marketet, barnatoret dhe bizneset në Vushtrri
Komuna e Vushtrrisë po cilësohet si vatër potenciale e Covid-19 pas rasteve të vazhdueshme. Kryetari i kësaj komune, Xhafet Tahiri, të hënën ka shoqëruar inspektorët sanitarë komunal gjatë inspektimit në institucionet publike, marketet, barnatoret dhe bizneset tjera.
Komuna e Vushtrrisë është duke shqyrtuar mundësinë që të ndryshojë rregulloren komunale për gjobat mandatore për të shqiptuar masa për mosmbajtje të maskës dhe distancës sociale.
Tahiri iu ka shpjeguar bizneseve që çdo gjë tashmë është e qartë, ose maska për personelin dhe konsumatorët ose mbyllje.
“Do të mbrojmë qytetin e qytetarët dhe këtë liri me çdo kusht, shumica e qytetarëve dhe bizneseve janë bashkëpunues e të ndërgjegjshëm prandaj kjo na e bënë punën më të lehtë. Në Komunë, QKMF, Gjykatë dhe në dyqane, nuk lejohet hyrja pa maska. Të mbash maskë nuk është marre, me përhapë virusin edhe është marre por edhe është e kundërligjshme”, ka thënë Tahiri.
(Q.R / Epoka e re)