Tahiri: Jam i bindur se javën e ardhshme Kosova do të bëhet me qeveri të re
Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Besnik Tahiri, ka theksuar se qeveria e re mund të krijohet javën e ardhshme.
Ai pas takimit me mandatarin për formimin e qeverisë, Avdullah Hoti, ka theksuar se nuk beson se do të kenë mosmarrëveshje rreth ndarjes së posteve me LDK-në, pasi sipas tij Kosova është në një gjendje të rëndë.
“Një takim pune me mandatarin dhe shumë shpejt do të takohemi edhe për çështjen e ndarjes së dikastereve. Deri tash nuk ka asnjë marrëveshje në këtë drejtim. Besoj që shumë shpejt mandatari Hoti do të del me marrëveshjen”.
“E rëndësishme është regjenerimi i ekonomisë që është në një gjendje shumë të rëndë. Është më së e rëndësishme dhe e nevojshme. Javën e ardhshme jam i bindur që do të ketë një qeveri të re”, ka thënë Tahiri.
Më tutje, Tahiri ka thënë se Këshilli Drejtues i AAK-së e ka votuar marrëveshjen me LDK-në përmes votimit online. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka pasur takime me grupin parlamentar dhe me kryetarët e komunave.
Po ashtu, Këshilli Drejtues i partisë do të votojë edhe për emrat për ministra.