Tahiri: Jam kryetari i vetëm që i publikoj të gjitha shpenzimet dhe vendimet
Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka folur për qeverisjen e tij të deritanishme duke e vlerësuar si pozitive.
“Ne kemi vendosur standarde të reja, kemi premtuar qeverisje të re në Vushtrri, në koncept dhe në mënyrën e qeverisjes dhe këtë po e implementojmë që nga dita e parë. Kemi filluar realizimin e çdo premtimi që e kemi dhënë. Kemi premtuar Zonën Ekonomike të cilën e kemi realizuar për gjashtë muaj, në afat record. Kemi siguruar buxhetin nga Kuvendi, kemi siguruar të gjitha lejet dhe është licencuar Zona Ekonomike që është një projekt që do të gjenerojë 1000 vende të punës”, ka thënë ai.
Tahiri në “Info Magazine” të “Klan Kosovës” ka folur edhe për transparencën.
“Kemi premtuar transparencë të plotë dhe jam kryetari i vetëm në gjithë Kosovën që e publikoj çdo vendim dhe çdo shpenzim në baza javore. Kam vendosur standard të ri dhe do të doja që të gjithë kryetarët e komunave ta njihnin këtë meritë. Edhe mëditjet, drekat e darkat dhe çdo shpenzim tjetër e bëj publik. Kurdo që ndonjë shpenzim harrohet, do ta korrektojmë në fund të muajit”, ka thënë ai.