Tahiri: Jemi të përkushtuar për realizimin e të drejtave pronësore
Ministri i Drejtësisë (MD), Abelard Tahiri, ka thënë se është i përkushtuar në realizimin e të drejtave pronësore për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Me bindjen e plotë se realizimi i të drejtave pronësore do të ketë ndikim thelbësor në reformimin e përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Tahirit:
Ministria që unë drejtoj mbetet e përkushtuar në realizimin e të drejtave pronësore për të gjithë qytetarët pa dallim, ashtu siç e përcakton rendi demokratik.
Me bindjen e plotë se realizimi i të drejtave pronësore do të ketë ndikim thelbësor në reformimin e përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik në Republikën e Kosovës, vendosa të marr pjesë në punëtorinë e organizuar nga projekti i USAID për të Drejtat Pronësore me studentët nga universiteti publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Pata nderin të bashkëbisedoj me studentët lidhur me këtë temë dhe i ftova për gjithë përfshirje dhe kontribut aktiv.
Kuadri akademik edhe studentët, duhet të ndikojnë në vetëdijesimin e përgjithshëm që ndryshimet në kontekst të barazisë në të drejtat pronësore të kuptohen dhe pranohen si reforma për të mirën tonë të përbashkët. Isha pozitivisht i befasuar me interesimin dhe pyetjet nga shumë studente dhe studentë lidhur me punën tonë në këtë drejtim.
Unë shpresoj se janë ndarë të kënaqur jo vetëm Blerta, Alfredi, Vjosa, Lisa dhe Qëndrimi, që ishin disa nga ata që bënë pyetje, por edhe të gjithë të tjeret që me interesim të lartë e përcillnin këtë punëtori. Fuqizimi i sundimit të ligjit mund të arrihet vetëm atëherë kur forcohet sistemi i drejtësisë në sektorin e të drejtave pronësore.