Tahiri: Katër vitet e fundit kanë shkatërruar shpresën për një jetë të mirë dhe punësim
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka bërë të ditur se në seancën e së enjtes do të diskutohet për Ligjin për Zyrtarët Publik dhe ikjen e të rinjve nga Kosova.
Sipas Tahirit, ikja reflektohet edhe në regjistrimin e popullsisë.
“Katër vitet e fundit kanë shkatërruar shpresën për një jetë të mirë dhe punësim. Kjo ikje masive tani pasqyrohet në regjistrimin e popullsisë. Kjo po bëhet për shkak të mungesës së shpresës dhe drejtësisë në vend”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri tha se janë larguar 45 zyrtarë të teknologjisë informative në komuna, me qëllimin e vetëm uljen në pagë.
“Ky ligj gjithashtu ka për qëllim partizimin e nivelit të mesëm në administratë, e po ashtu, është bërë diskriminim ndaj zyrtarëve të teknologjisë informative në komuna. Janë larguar 45 zyrtarë të teknologjisë informative në komuna, me qëllimin e vetëm uljen në pagë”, tha Tahiri.